Policët, të gjithë në rresht për testin e drogës

image description

Kush del pozitiv, rrezikon largimin nga puna

Efektivët e parë të cilët po i nënshtrohen testit të drogës në Policinë e Shtetit janë përzgjedhur nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave si dhe nga radhë të drejtuesve.

Deri tani, mbi 30 efektivë kanë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike, si pjesë e fazës së parë që përfshin 1000 testime. Mësohet se në një pjesë të tyre janë gjetur gjurmë të kokainës. 

Pas përfundimit të fazës së parë, do të vazhdohet me të gjithë deri në nivel drejtuesish. Përdorimi i drogës përkthehet në shkarkim nga detyre, kjo në bazë të kritereve të parashikuara në ligj për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit.

Mjekë në shërbimin e toksikologjisë, thanë se rastet janë specifike dhe varen nga kushtet shëndetësore, por edhe kriteret dhe mënyrën se si po bëhen testimet nga laboratori privat, për të kuptuar marzhin e gabimit.

Në kushte të anonimatit, efektivë të cilët kanë dalë pozitiv thonë se kjo ka ndodhur nga medikamente që kanë përdorur, ndërsa një variant i tillë pranohet si mundësi edhe nga shërbimi i toksikologjisë.

Policet paguajnë vetë individualisht nga 2 mijë lekë të reja. Testimi do të përfshijë të gjithë efektivët e forcave të rendit dhe do të jetë periodik.