Përballja me menaxherët xhelozë
Të krahasuarit me të tjerët është diçka që nuk i ndahet
jetës së njerëzve. Që nga fëmijëria e deri në pjekje njerëzit janë të prirë që
ta krahasojnë veten me shokun ose shoqen përreth. Por, kjo ndodhë edhe në
vendin e punës, madje është diçka e zakonshme.
Ndonjëherë ka zili për prezantimin shembullor të kolegut,
ndonjëherë për një kolege që u zgjodh për të punuar në një projekt me përfitim
të lartë, e ndonjëherë përballemi me xhelozi si përgjigje për sukseset tona.
Epo, çfarë nëse xhelozia po vjen nga menaxheri juaj?
Duket të jetë pak e çuditshme që një menaxher i cili i
udhëheqë dhe motivon punonjësit t’i xhelozojë punonjësit, por kjo ndodhë me një
menaxher të pasigurt, i cili ballafaqohet me një vartës që e tejkalon atë, dhe
kjo e bën që ai të ndihet i kërcënuar.
Madje, sipas Harvard Business Review, në raste të tilla,
menaxherët priren të reagojnë në disa mënyra:
Reagimet që nuk do t’ju dëmtojnë: Menaxheri juaj gjen një
mënyrë për t’u vetëvlerësuar me përulësi dhe beson se performanca juaj është e
lartë, sepse jeni të jashtëzakonshëm.
Në raste të tilla, mund të zbuloni se menaxheri juaj i thotë
vetes një tregim të rremë për performancën tuaj: se popullariteti juaj është
rezultat i gjenialitetit dhe privilegjit tuaj. Kjo i ndihmon ata të
justifikojnë mangësitë e tyre ose mungesën e popullaritetit në krahasim.
Reagimet që mund t’ju dëmtojnë: Menaxheri juaj shpesh mund
të thotë ose të bëjë gjëra që mund ta bëjë të dukshme xhelozinë e tij. Këto
janë shenjat që reagimet e tij janë të dëmshme:
Ata gjithmonë gjejnë diçka për t’ju kritikuar rreth punës që
keni bërë, edhe kur ajo po jep sukses dhe po vlerësohet nga të tjerët.
Në mënyrë të vazhdueshme ju pengojnë gjatë takimeve
Ata i nënçmojnë arritjet përballë ekipit
Ju injorojnë
Duket se kënaqen kur bëni gabime
Ju japin projekte me të cilat nuk dëshiron askush të punojë
Nëse kjo është situata juaj, menaxheri juaj mund të mendojë
se njohja që po merrni është e pakthyeshme dhe e padrejtë. Ata mund t’ju shohin
si një kërcënim dhe ju zemërojnë.
Është tipike për një menaxher në këtë mentalitet që të
distancohet nga ju, t’iu izolojë shoqërisht dhe të përpiqet të heqë çdo
avantazh që keni në sistem. Dijeni se ky nuk është faji juaj, por mund të
ndikojë në rritjen dhe zhvillimin tuaj!
Nëse po e shihni që e ardhja juaj po dështon për shkak të
një menaxheri ose menaxhereje xheloze, përdorni hapat e mëposhtëm për t’i
menaxhuar emocionet e tyre, përcjell KP artikullin e Akademi Pune.
Kuptoni psikologjinë
Edhe shefi juaj siç do kush tjetër ka nevojë për status dhe
respekt në punë, ashtu si të gjithë. Nëse e shohin që ata po e humbasin
shkëlqimin për shkak tuajin, atëherë ata do të fillojnë të ndihen të
“rrezikuar”.
Psikologët këtë e quajnë privim relativ, që do të thotë ata
ndihen inferior dhe me më pak avantazhe kur e krahasojnë veten me të tjerët.
Por në kohën që menaxheri duhet të përballet me ndjenjat e
tij dhe pasigurinë, është mirë që edhe ju pi ashtu të ndaleni ta pyesni veten
nëse keni nevojë që ta ndryshoni ndonjë shprehi. Kështu që drejtoni këto pyetje
te vetja:
A ndaj energji të njëjtë me këtë njeri?
A ia jap meritat kur duhet?
A shfaqi mjaftueshëm vlerësim dhe njohje për grupin tim pas
suksesit tim?
Menaxhoni reagimet e tyre me njerëzi
Zakonisht sukseset tona e drejtojmë perfomancën tonë te
ambiciet tona, aftësitë dhe mundësitë. Edhe pse kjo mund të jetë e vërtetë, na
duhet t’i njohim edhe përfitimet që i kemi pasur nga rrethanat dhe mundësitë
gjatë rrugës.
Është kjo koha kur mund ta rikujtoni menaxherin tuaj, rreth
asaj sesa falënderues jeni për mbështetjen, mentorimin, sponsorizmin dhe
ekspozimin që ju ka dhënë për të pasur sukses në karrierë.
Është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet jo vetëm në
bisedat vetëm me të, por edhe ta tregoni këtë kur jeni përballë të tjerëve.
Përdorni suksesin tuaj për ta fuqizuar si menaxherin
ashtu edhe bashkëpunëtorët
Kur jeni duke përparuar mund të përqendroheni më shumë te
vetja. Por është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndaleni dhe të gjeni rrugë që
ndikojnë për t’i ndihmuar të tjetër në sukses. Ndani energjinë fillimisht me
menaxherin tuaj! Ftoni dhe përfshini ata në ngjarje të rëndësishme! Kjo është
çfarë bëjnë lojtarët e ekipit!
Zbutni vazhdimisht betejat e statusit dhe pushtetit
Nëse menaxheri ndihet i kërcënuar nga prania juaj atëherë
mund të fillojë të bëhet agresiv, në mënyrën sesi sillen në takimet e punës dhe
mbledhje të tjera me të tjerët. Kuptoni që nëse menaxheri ose menaxherja juaj
ka tendenca për të treguar fuqi mbi juve, atëherë kjo po vjen prej ndjenjës së
kërcënimit dhe xhelozisë.
Në vend se të filloni të silleni keq më të, afrohuni dhe
kërkoni ndihmë nga ai! Thoni atij/asaj se ajo çfarë jeni ju sot është falë
përvojës dhe ndihmës së tyre!